Elbasan – Vijon operacioni policor i koduar “Premtimi”

Shkon në 3 numri i të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni.

Kapen 2 personat e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Në nëntor të vitit 2020 u vu në pranga drejtuesi i mjetit, i cili në bashkëpunim me 2 shtetasit e shpallur në kërkim, transportonin 12 emigrantë nga vendet e treta.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”, kanë bashkëpunuar me strukturat hetimore të DVP Durrës me qëllim kapjen e tyre.

Pas shkëmbimit të informacionit, shërbimet e DVP Durrës bënë të mundur kapjen e shtetasve A. Ç., 21 vjeç, dhe D. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”, të zhvilluar nga DVP Elbasan në nëntor të vitit 2020, pasi së bashku me shtetasin E. Ç., i cili është arrestuar në flagrancë gjatë operacionit, po transportonin 12 emigrantë, nga Korça në drejtim të Shkodrës, kundrejt fitimit 100 euro për person, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit në drejtim të Malit të Zi.

Gjatë operacionit, në nëntor të vitit 2020, të dy shtetasit A. Ç. dhe D. H., braktisën mjetin në aksin rrugor Librazhd-Elbasan dhe mundën të largoheshin ndërsa shtetasi E. Ç. u arrestua në flagrancë.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.