Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Shkelte masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ushtronte përsëri veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza, vihet në pranga 46-vjeçari.
Sekuestrohen lëndë narkotike e llojit kokainë, një pjesë e ndarë në doza, një peshore elektronike dhe një aparat celular.
Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 46 vjeç, banues në Kamzë.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në zonën e Unazës së Re, me doza me lëndë narkotike kokainë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kokainë, 46-vjeçari e shiste më pas atë, në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Unazës së Re.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës të shtetasit A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.