Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. P., 36 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Z., 46 vjeç, banues në Manati, Lezhë.
Ditën e djeshme, rreth orës 13:00, në afërsi të një restoranti në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, shtetasi A. Z. ka hedhur një ndezës granate në drejtim të shtetasit S. P., e cila ka shpërthyer pa shkaktuar dëme në njerëz.
Pas kësaj ngjarjeje, shtetasi S. P. është larguar pa njoftuar Policinë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. Z.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, në ngarkim të shtetasit A. Z., si dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit S. P.