Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Berat – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja e dyfishtë”, e mbetur në tentativë. Shërbimet e Seksionit të Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve në DVP Berat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bënë kapjen e shtetasit në kërkim kombëtar Aleksandër Agaçi, 48 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Vlorë ka caktuar rikthimin e tij në burg, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, 1 vit e 6 muaj burg, duke konvertuar kështu vendimin e dhënë nga autoritetet italiane, për veprën penale “Vrasja e dyfishtë”, mbetur në tentativë, e kryer në shtetin italian. Ky shtetas u transferua në ambientet e DVP Fier, për veprime të mëtejshme.
Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Alias”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve.Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Sekuestrohen dokumente identifikimi dhe dokumente të tjera, të dyshuara të falsifikuara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Alias”. Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit: P., 68 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, B., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, të kryera në bashkëpunim dhe B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, shtetasi B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik-radiolog pranë një spitali privat në Tiranë. Gjatë muajit mars, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi, dokumente mjekësore dhe shkollore, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 dokumente identifikimi (pasaporta), të dyshuara të falsifikuara, vizë angleze e dyshuar false, 1 laptop dhe një sasi e konsiderueshme parash. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.
Fier -Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. Q., pasi në lagjen “Apollonia”, Fier, është kapur duke vjedhur në banesën e shtetasit P. M. Po nga këto struktura u procedua penalisht shtetasi A. M., 63 vjeç, pasi në lagjen “Afrimi i Ri”, Fier, ka shkatërruar murin rrethues të pronës së shtetasit N. M. Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin Rr. Ç., 55 vjeç, banues në fshatin Gjuzë, drejtor i një shkolle 9-vjeçare në rrethin Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse 15 vjeçe. Mallakastër/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër proceduan penalisht shtetasin L. T., 49 vjeç, banues në Damës, Mallakastër, pasi dyshohet ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Elbasan – Specialistët e Hetimit të Krimit Kundër Personit dhe Pasurisë proceduan penalisht shtetasit A. Xh., 61 vjeç, E. S.(Xh) 38 vjeç dhe M. Xh., 34 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, pasi nga veprimet e kryera dyshohet se këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja e datës 29.03.2022, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, ku është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi Nuredin Dumani, por këta tre shtetas nuk kanë njoftuar organet policore. Gjithashtu, gjatë deklaratës së tyre ata kanë dhënë të dhëna të rreme për ngjarjen.
Manzë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë shpallën në kërkim shtetasin F. H., 35 vjeç, banues në Manzë, pasi më datë 18 mars 2022, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë, bashkëshortja e tij, shtetasja B. Gj.(H.), 41 vjeçe, e cila pas disa ditësh ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore të kryera më datë 18 mars, rezultoi se mjeku nuk ka konstatuar shenja dhune sipërfaqësore, por ka dyshuar për trompozë (mpiksje gjaku). Për këtë arsye, më datë 19.03.2022, prokurori ka urdhëruar ndjekjen në gjendje të lirë, për shtetasin F. H. Më datë 31.03.2020, shtetasja B. Gj.(H.) ka humbur jetën në spital. Në zbatim të udhrit të prokurorit për ndalimin e shtetasit F. H. deri në daljen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe sqarimin e rrethanave, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë shpallën në kërkim shtetasin F. H., 35 vjeç, sepse nuk është gjetur në banesë, gjatë kontrollit. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 11 janë arrestuar në flagrancë, 68 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 3 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Fyerja e gjyqtarit”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Marrja pa të drejtë e fëmijës” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe me 1 viktimë të shkaktuar si pasojë e aksidentit në punë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale ”Punësimi i paligjshëm” me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 shtetas tjetër të ndaluar, ndërsa për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” është evidentuar një rast, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. 1 rast i kësaj veprimtarie kriminale rezulton me autorë të paidentifikuar, vijon puna për kapjen e tyre si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjeve.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 5 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. 1 rast i kësaj veprimtarie kriminale rezulton me autorë të paidentifikuar, vijon puna për kapjen e tyre si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjeve. Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Pushtimi i tokës”, me 4 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i veprës penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 13 raste, prej këtyre janë 5 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 5 të arrestuar në flagrancë dhe me 4 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim.
Për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar gjithashtu, 6 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 5 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 3 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufijve” dhe “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me nga 1 shtetas të ndaluar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur në total 5 aksidente, me 7 shtetas të dëmtuar, pa rrezik për jetën. 1 nga këto raste rezulton me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna intensive nga ana e strukturave policore. Gjithashtu, 1 prej këtyre rasteve bashkëshoërohet me veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”. Janë evidentuar në total 5 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.