Berat – Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Poker 2022”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit

Ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe posedonin lëndë narkotike, në ambientet e një lokali, vihen në pranga 2 shtetas.

Procedohen penalisht 10 shtetas të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 1 tavolinë pokeri dhe çipsa.

Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy të rinj ushtronin këtë aktivitet kriminal në qytetin e Beratit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Poker 2022″.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit:

E. Zh., 30 vjeç dhe M. M., 26 vjeç, të dy banues në Berat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në në lagjen “Uznovë”, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Zh., u gjetën dhe u sekuestruan 415 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, çipsa dhe një tavolinë pokeri që përdorej për organizimin e lojërave të fatit.

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasit K. D., 25 vjeç, A. Gj., 43 vjeç, A. H., 21 vjeç, N. M., 20 vjeç, T. P., 36 vjeç, G. K., 36 vjeç, A. M., 31 vjeç, F. K., 25 vjeç, P. L., 25 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, klientë në lokalin e shtetasit E. Zh.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.