Berat – Finalizohet operacioni policor i koduar “Osumi”

Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Osumi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike heroinë dhe metadon.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se tre të rinj ushtronin këtë aktivitet kriminal në qytetin e Beratit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Osumi”.

Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

A. T., 26 vjeç, E. E., 31 vjeç dhe E. M., 30 vjeç, të tre banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha dhe vende të ndryshme në qarkun e Beratit, kanë ushtruar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga shtetasi E. M., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi heroine në doza dhe një sasi metadoni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.