Falë bashkëpunimit të Policisë Kufitare me Interpol Tiranën dhe Interpol Italinë, arrestohet në Qafë Thanë me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të narkotikëve.
Vihen në pranga edhe 3 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin e përkohshëm, me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit A. Sh., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se Gjykata e Bergamos, Itali, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit/Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në Komisariatin e Policisë Pogradec.
————-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” të shtetasit K. H., 55 vjeç, banues në Korçë, pasi në fshatin Trebinjë, Pogradec, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin tip “Benz”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, 11 m sterë dru zjarri pa leje.
————
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” të shtetasit L. T., 36 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi në banesë, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me grushte bashkëshorten e tij shtetasen E. T., 34 vjeçe.
————
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja” mbetur në tentativë, të shtetasit A. M., 34 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë, pasi ky shtetas është kapur në fshatin Vinçan, Korçë, duke tentuar të vidhte në banesën e shtetasit A. H.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.