Zbulohet një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Arrestohen në flagrancë babë e bir.
Sekuestrohen 316 vazo në të cilat ishin të kultivuar fidanë të dyshuar kanabis sativa, pajisje elektrike dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për kultivimin e kanabisit me ngrohje, me anë të llambave.
Gjithashtu sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash, në lekë dhe euro (1.822.000 lekë dhe 37.000 euro).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se dy shtetas kishin përshtatur një ambient në fshatin Derven, për kultivim të kanabisit me anë të llambave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Derveni”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Ll. L., 57 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Derven.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtyre shtetasve, kanë konstatuar një ambient (stallë), të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ku brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan:
316 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në vazo plastike, llamba, pajisje të ndryshme elektrike dhe aspiratorë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.