Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka dërguar letër falënderimi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, për masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan në datën 6 mars 2022.
Në letrën e tij, Celibashi ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për angazhimin e tij personal dhe të strukturave të Policisë që ai drejton, në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
“Angazhimi maksimal, si dhe profesionalizmi i treguar nga institucioni që ju drejtoni, kanë kontribuuar gjerësisht në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë. Përkushtimi i Policisë së Shtetit në zbatim të dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe maturia e treguar gjatë fushatës zgjedhore dhe sidomos ditën e zgjedhjeve, janë shprehje e qartë e progresit nën drejtimin tuaj”, – ka theksuar Celibashi, në letrën e tij.
Për të garantuar një proces zgjedhor sa më të sigurt dhe të qetë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, u angazhuan 1350 punonjës policie, të cilët kanë qenë me shërbim para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve, për të përmbushur të gjitha detyrimet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin e KQZ-së, për veprimtarinë e Policisë së Shtetit, në raste të tilla.
Gjatë gjithë procesit zgjedhor nuk u kostatua asnjë veprim i punonjësve të Policisë, që binte ndesh me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për “Policinë e Shtetit”.