Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Celulari”, për goditjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Elbasan. Vihet në pranga 1 shtetas që kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit të tij, për organizimin e lojërave të fatit.   Në pranga edhe 1 shtetas tjetër, që u kap duke vënë baste spotive nëpërmjet celularit, në ambientet e lokalit.  Në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Celulari”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. P., 45 vjeç, banues në Elbasan, pronari i lokalit ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit dhe O. Ç., 27 vjeç, banues në Elbasan, klient në lokalin e shtetasit G. P. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit G. P., u gjetën dhe u sekuestruan 3 aparate celulare që përdoreshin për vënien e basteve sportive online. Gjatë shoqërimit, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë. Materialet u rereferuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Tiranë – Vihen në pranga 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale, katër prej tyre të shpallur në kërkim.   Specialistët e Seksionit të Kërkimit bënë kapjen e shtetasit në kërkim F. A., 27 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Specialistët e Seksionit të Krimik Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasit të mitur në kërkim D. K., pasi dyshohet se me anë të mashtrimit i ka përvetësuar shumën 35.000 euro, shtetasit K. K., 43 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. H., 63 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, pasi në një karburant, ka bërë pagesë me një shumë eurosh të dyshuar të falsifikuar.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak dhe një mjet prerës (thikë). Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim K. A. (K)., 26 vjeç, pasi më datë 09.03.2022, dyshohet se në një hotel, ka vjedhur një laptop dhe një shumë parash të shtetasit A. M., 24 vjeç.    Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. R., 40 vjeç, pasi nga punonjësit e Qarkullimit Rrugor, u kap duke drejtuar mjetin e tij, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 46 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur dhe K. Xh., 38 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur, nuk i është bindur punonjësve të Qarkullimit Rrugor, për të ndaluar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme

Fier – Më datë 17.03.2022, shtetasi Dh. T., 28 vjeç, banues në Korçë, ka bërë kallëzim se në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i kanë marrë një sasi parash në automjetin e tij, të cilin e kishte lënë të hapur, në një vend parkimi. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 109 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 90 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me persona të dyshuar, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste: 4 raste të “Kanosja”, prej të cilëve 1 rast i ndodhur për shkak të detyrës dhe 1 rast i bashkëshoqëruar me veprën penale “Fyerja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 4 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast me autorë të paidentifikuar, për zbardhjen dhe identifikimin e të cilit vijon puna intensive; 1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” dhe 1 rast i “Ndërhyrja e padrejtë ne jetën private”.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë proceduar penalisht 2 shtetas, ndërsa për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e municioneve” është proceduar 1 tjetër.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”me 3 autorë të dyshuar, të arrestuar në flagrancë, dhe 3 të tjerë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në qarkun Tiranë janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”.

Për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” është evidentuar një rast në qarkun Tiranë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, me shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 6 raste me autorë të dyshuar, ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore.

Në Tiranë u arrestua në flagrancë një shtetas, përsëritës në veprimtarinë kriminale, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit dhe kulturës” dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 2 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 4 prej tyre në Tiranë, nga 1 rast në qarqet e Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Është proceduar penalisht në gjendje të lirë një shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike dhe një tjetër për veprën penale “Ndërhyrja në aparatin matës të energjisë elektrike”.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas për “Shkatërrimi i pronës”, si dhe 1 shtetas tjetër për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me persona të lënduar të cilët, pasi kanë marrë asistencë mjekësore, janë kthyer në banesa.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 17 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.