Goditet 1 tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. H., 35 vjeç dhe H. F., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në dalje të qytetit të Pogradecit shtetasit e mësipërm, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.