Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 8”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Strehonin 5 emigrantë të paligjshëm që kishin si qëllim kalimin në vendet e BE-së, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohet një armë zjarri, të cilën e mbante në banesë njëri nga të arrestuarit.   Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 8”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 51 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur “Ish-Pularia”, në fshatin Lazarat, kanë pritur dhe strehuar kundrejt fitimit, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri, për të kaluar më pas në vendet e BE-së. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit A. M. u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, 1 automjet dhe 2 aparate celulare. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

DVP Vlorë/Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin K. D., 42 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Vjedhja”, shtetasen italiane E. M., 46 vjeçe, banuese në Brindisi, Itali, pasi dyshohet si autore e vjedhjes së një bizhuterie, në një argjendari në lagjen “Pavarësia 3”. Po nga këto shërbime është proceduar penalisht shtetasi M. N., banues në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi ka goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin M. Ç., banues në lagjen “Uji i ftohtë” Vlorë.  Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht për veprën penale “Kanosja”, shtetasin J. Rr., 59 vjeç, banues në fshatin Tërbaç, Himarë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi E. E., 31 vjeç, banues në fshatin Qeparo, Himarë, se 59-vjeçari e ka kanosur me fjalë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin K. D., 19 vjeç, banues në Bajkaj, Delvinë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 21 janë arrestuar në flagrancë dhe 80 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 6 raste të “Kanosja”, prej të cilëve 2 raste janë në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 2 në Berat; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”,1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, 2 raste të veprës penale “Përndjekja” në Tiranë dhe 1 rast i “Goditje me sende të forta, po në Tiranë.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është arrestuar në flagrancë një shtetas dhe një tjetër është duke u proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 rast në Tiranë, 2 raste në Lezhë dhe 1 rast në Kukës.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 18 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes, si dhe janë paraqitur 5 raste pranë Komisariateve, ku shtetasit kanë deklaruar se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, për ndjekjen dhe zgjidhjen e të cilave janë angazhuar strukturat pranë Drejtorive Vendore.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast në Vlorë, me 1 autore të proceduar, dhe për 5 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 prej tyre në Tiranë, nga 1 rast në qytetet e Lezhës dhe Durrësit dhe 2 raste në Elbasan .

Në Tiranë është proceduar penalisht një shtetas për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.

Janë proceduar 4 shtetas për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 3 në Tiranë dhe 2 në Lezhë. 2 shtetas të tjerë në qytetin e Lezhës janë proceduar për veprën penale “Ndotja e ajrit”.

Në Shkodër 1 shtetas është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve” dhe 1 shtetas është proceduar penalisht, në gjendje të lirë për veprën penale “Peshkim i ndaluar”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas për “Shkatërrim prone”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, njëri prej tyre përsëritës për këtë vepër penale.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me FRONTEX-in, janë bllokuar 10 shtetas të huaj, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të shtetit grek me shtetin tonë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar, 2 prej të cilëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndërsa 1 shtetas ndodhet në spital, në gjendje të rëndë për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.