Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Sekuestrohet 1 aparat celular i cili shërbente për vendosjen e basteve sportive.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 34 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Zh., 66 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 9, Korçë, në lokalin e shtetasit A. Zh., 34-vjeçarit K. M., iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili dyshohet se shërbente për vendosjen e basteve sportive.
Gjithashtu gjatë verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi A. Zh., ushtronte aktivitetin e tij i pa regjistruar në organet tatimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.