Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Finalizohet pas një hetimi 3-vjeçar, operacioni policor i koduar “FIVE”. Operacioni nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, nën drejtimin e SPAK-ut. Të angazhuara në operacion, Drejtoria Hetimore, RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Lezhë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Elbasan dhe Kukës. Goditen 5 grupe të strukturuara kriminale të sinkronizuar me njëri-tjetrin, që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve. Ekzekutohen masat e sigurisë për 35 shtetas. Gjatë periudhës 3-vjeçare të hetimit janë sekuestruar 1 armë zjarri, municion luftarak, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojeve të ndryshme, qindra bimë narkotike, vaj hashashi dhe një sasi farash kanabisi. Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Agjencitë e Zbatimit të Ligjit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2019, kanë finalizuar operacionin “FIVE”. Gjatë hetimit proaktiv 3-vjeçar është provuar veprimtaria e kundërligjshme e 5 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Prrenjas, gjatë periudhës mars 2019-nëntor 2020. Pas provave të siguruara gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Forcat policore të përfshira në operacion kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit D. D., 23 vjeç, E. Ll., 32 vjeç, A. K., 33 vjeç, S. K., 26 vjeç, Xh. A., 19 vjeç, K. D., 38 vjeç, S. D., 31 vjeç, F. R., 38 vjeç, H. R., 31 vjeç, H. R., 29 vjeç, A. K., 52 vjeç, Xh. F., 39 vjeç, V. P., 33 vjeç, F. D., 57 vjeç, L. L., 43 vjeç, E. K., 38 vjeç, B. B., 37 vjeç; F. M., 54 vjeç (punonjë policie SPZ, Tepelenë) dhe A. L., 45 vjeç (punonjës policie, DVP Gjirokastër), për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Gjithashtu, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E. U., 38 vjeç, M. B., 21 vjeç, M. Z., 27 vjeç, S. B., 29 vjeç, M. T., 21 vjeç., A. M., 48 vjeç, A. Ll., 34 vjeç, A. P., 35 vjeç, N. L., 36 vjeç. H. V., 66 vjeç, L. K., 56 vjeç., K. D., 35 vjeç, K. L., 29 vjeç dhe E. P., 23 vjeç, të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin, për vepra të tjera penale. Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim disa persona të tjerë, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre, gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë. Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasin N. Ll. dhe masën e sigurimit personal “Detyrimi paraqitjeje”, për shtetasin A. Sh. Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasi F. M., me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe shtetasi A. L., me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Për këta shtetas është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”. Operacioni vijon për kapjen e personave në kërkim. Materialet i kaluan Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë – Procedohen penalisht 6 shtetas për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin D. H., 48 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.14, Korçë, gjatë kontrollit që shërbimet e policisë ushtruan në lokalin e tij, iu gjet e sekuestrua një telefon celular, i cili dyshohet se përdorej për organizimin e lojërave të fatit të palejuara. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Prerja e paligjshme e pyjeve” për shtetasit E. Ç., 21 vjeç dhe R. M., 20 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në aksin rrugor Lin-Pogradec, këta shtetas u kapën me mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. Ç., duke transportuar 6 m sterë dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës; O. Gj., 37 vjeç dhe D. H., 36 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec, pasi këta shtetas u kapën me mjetet e tyre tip “Benz”, duke transportuar secili nga 4 m sterë dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës. Po nga këto struktura, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” për shtetasin K. B., 20 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, ky shtetas gjatë një konflikti, ka goditur me sende të forta në trup shtetasin E. H., 20 vjeç, banues në Pogradec. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 166 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 42 janë arrestuar në flagrancë dhe 116 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 1 raste të “Kanosja”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera më dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Shkodër, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 3 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 6 të tjerë për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke” dhe 2 për “Shkatërrim prone”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.