Shkodër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim I. B., 31 vjeç, banues fshatin Macukull, Burrel.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Mat, me vendimin e datës 26.06.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në muajin maj të vitit 2021, në fshatin Macukull, Mat, gjatë kontrollit të territorit, në një tokë bujqësore në pronësi të këtij shtetasi, shërbimet policore kanë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Ky shtetas iu dorëzua strukturave të Komisariatit të Policisë Mat, për veprime të mëtejshme.