Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht dy shtetas të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lëndë narkotike cannabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se disa shtetas shpërndanin lëndë narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Wednesday”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– H. D., 46 vjeç dhe K. L., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u procedua penalisht shtetasi G. Sh., 47 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. D., i cili ishte së bashku me shtetasit K. L. dhe G. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua penalisht R. L., 28 vjeç, pasi ka kundërshtuar punonjësin e Policisë të Komisariatit Nr. 1., që të mos arrestonte vëllain e tij, shtetasin K. L.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.