Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Goditen dy raste të organizimit të lotarive të palejuara, arrestohen në flagrancë dy shtetas të cilët kishin vendosur lokalet në dispozicion për lojëra të palejuara.
Procedohen penalisht dy të tjerë.
Sekuestrohen katër aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, me anë të aparatit celular.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 47 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, pasi ky shtetas kishte përshtatur lokalin e tij në rrugën “Ali Demi”, për lojëra fati me anë të aparateve celulare.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit K. H., 23 vjeç, dhe M. O., 32 vjeç për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, pasi gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, në aparatet e tyre celulare, u gjetën programe për lojëra fati.
Po në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– A. Rr., 41 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë u konstatua se ky shtetas kishte përshtatur lokalin e tij në rrugën “Tre Dëshmorët”, për lojëra fati me anë të aparateve celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.