Operacioni i zhvilluar nga DVP Kukës, Komisariati i Policisë Tropojë nën drejtimin e dy Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Kukës e Tropojë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Me drogë e arsenal armësh në makina, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (1 automatik, 1 mitroloz i lehtë dhe një pistoletë ECOL) municion luftarak dhe 33 kg lëndë narkotike kanabis.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se disa shtetas do të shisnin armë zjarri e lëndë narkotike, organizuan punën dhe nën drejtimin e dy Prokurorive të Retheve Gjyqësore Tropojë e Kukës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ” Fierza 2022″.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– B. M., 35 vjeç, dhe B. M., 32 vjeç, banues në fshatin Koçanaj.
-A. P., 26 vjeç, dhe K. P., 26 vjeç, banues në Fierzë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Bajram Curri- Tropojë, në kryqëzimin e fshatit Sopot, duke levizur me automjetet tip “Volkswagen” dhe “Benz”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjete, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 33 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis e paketuar në qese, 3 armë zjarri ( 1 automatik, 1 mitroloz i lehtë dhe një pistoletë tip Ecol), 900 euro, dhe dy automjetet tip “Volkswagen” dhe “Benz”.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, kryer në bashkëpunim.