Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Goditen dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Vihen në pranga 3 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje, tre aparate celulare dhe një automjet.
Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. F., 18 vjeç, dhe M. K., 17 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në Babrru, Kamzë dhe në Paskuqan.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. F. dhe pasagjer shtetasin M. K., u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje, e cila u sekustrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe dy aparate celulare.
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit “Braka 2” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. F., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa dhe më pas e shiste atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.