Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 pushkë sportive dhe municion luftarak.
Vihet në pranga poseduesi i tyre, procedohet penalisht djali i tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Liqeni”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– N. Xh., 50 vjeç, banues në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, në afërsi të liqenit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht dhe djali i tij, shtetasi A. Xh., 16 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit N. Xh, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një armë zjarri pistoletë, një pushkë sportive dhe sasi municioni luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.