Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. 

Krujë – Finalizohet Mega Operacioni Policor antikanabis i koduar “Malësia e Krujës”. Në pranga 19 persona për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Operacioni nga Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Shërbimet e DVP Durrës, Forcën e Posaçme Opreacionale, FNSH dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës. Mega Operacioni në vijim të 4 operacioneve të zhvilluara më parë, të koduara “Ndëshkimi 1, 2, 3 e 4”, gjatë të cilëve janë arrestuar 27 persona dhe 2 janë shpallur në kërkim. Pas një hetimi 3 mujor me metoda speciale hetimi, Komisariati i Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës e ato të F.L.O-së, finalizuan me sukses Mega Operacionin Policor të koduar “Malësia e Krujës”. Në funksion të dy procedimeve penale u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit: A. L., 31 vjeç, banues në Mamurras; M. Ll., 56 vjeç, banues në Mirditë; L. D., 47 vjeç, banues në Borizanë, Krujë; N. M., 28 vjeç, banues në Krujë; M. K., 61 vjeç, banues në Brret, Krujë; R. K., 56 vjeç, banues në Brret, Krujë; E. K., 27 vjeç, banues në Brret, Krujë; Xh. K., 53 vjeç, banues në Picrragë, Krujë; L. Sh., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë; K. Sh., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë; A. M., 65 vjeç, banues në Krujë; F. M., 28 vjeç, banues në Krujë; K. L., 47 vjeç, banues në Cudhi, Krujë; A. G., 35 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; F. M., 41 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; B. K., 31 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; I. X., 42 vjeç, banues në Nojë, Krujë; G. K., 36 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë. U bë ndalimi me iniciativë për shtetasin A. K., 30 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë. Gjithashtu, po në kuadër të dy procedimeve u bë shpallja në kërkim edhe e 7 shtetasve të tjerë, të përfshirë në veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Krujë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas. Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë, ku në periudha të ndryshme, janë gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë të dyshuara narkotike Canabis Sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 33 aparate celulare dhe 1 armë zjarri pistoletë zhurmuese.

Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë.

Korçë – Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti në një familje. Arrestohet në flagrancë 66-vjeçari, i cili posedonte pa leje në banesë armë zjarri, pajisje shpërthyese dhe municione luftarake. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Drenovë kishte konflikt në një familje, dhe se i zoti i banesës posedonte armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe falë veprimeve të shpejta parandaluan përshkallëzimin e konflikit që mund të sillte pasoja të rënda për jetën. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin P.Th., 66 vjeç, i cili po konfliktohej me djalin e tij. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, municione luftarake, si edhe pajisje shpërthyese. Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Mat – Finalizohet operacioni policor “German”, i ndjekur me metoda speciale. Operacioni për kapjen e personave në kërkim. Kapet 28-vjeçari i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor “German”, si rezultat i të cilit u kap dhe arrestua shtetasi i shpallur në kërkim A.Gj., 28 vjeç, banues në Burrel. Gjatë kontrollit të territorit të ushtruar nga Policia për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në muajin korrik 2019, ky shetas në afërsi të banesës së tij, në një zonë të pyllëzuar në fshatin German, ka tentuar të kultivojë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, në kubikë. Nga kontrolli i ushtruar në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak dhe vegla të ndryshme për pastrimin e armëve të zjarrit. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 107 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 83 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 4 persona, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Kukës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve, në të gjithë territorin, janë evidentuar 10 raste, me 19 autorë të arrestuar , 3 autorë të ndaluar dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, konkretisht: 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arresrtuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedoehen në gjendje të lirë, si edhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 4 në qarkun Tiranë, 3 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.