Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bradasheshi”. Ndalohen 2 shtetas, për vjedhje të disa pajisjeve me vlerë 5000 euro. Arrestohet në flagrancë edhe pronari i një pike skrapi që bashkëpunonte me dy shtetasit e ndaluar, duke iu blerë pajisjet e vjedhura. Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen e autorëve dhe venien e tyre para përgjegjësisë penale, bazuar në informacionet e siguruara për vjedhjen në një firmë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bradasheshi”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve D. K., 27 vjeç dhe D. M., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 08.02.2022, në lagjen “Çlirim”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur pajisje të ndryshme, me vlerë 5000 euro, në firmën në pronësi të shtetasit K. B., banues në Elbasan. Gjithashtu, në vijim të operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi P. Ç., 56 vjeç, pronar i një pike skrapi, pasi ka blerë pajisjet e vjedhura nga shtetasit e lartpërmendur. Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Lezhë – Vijon operacioni policor i koduar “Eksplozivi”. Kapet dhe ndalohet autori i dytë i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, ku në një objekt privat në ndërtim u vendos lëndë shpërthyese. Në orët e para të mëngjesit, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër dhe Drejtorinë Vendore Policisë Durrës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë. Për këtë shtetas, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin penal të datës 11.11.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” “Kanosja”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, pasi dyshohet që në datën 19.11.2020, në Shëngjin, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar në dhjetor 2020, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”), kanë vendosur lëndë shpërthyese në një subjekt privat objekt në ndërtim e sipër, në pronësi të shtetasit L. Gj., në Shëngjin, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste: 1 raste i “Kanosja”, në Elbasan; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar/ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 3 raste më 3 autorë që po procedohenë në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Në Tiranë janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Janë proceduar penalisht 2 shtetas për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, 1 për shkatërrim prone dhe 2 për “Vetëgjyqësia”.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.