Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që ushtronin këtë veprimtari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas informacioneve të marra në rrugë policore, se dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientet në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last game”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– F. Z., 31 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Loni Ligori” dhe B. S., 21 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Teodor Keko”, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas kishin përshtatur ambientet e lokaleve në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të një sistemi shpërndarjeje nëpërmjet aparateve celulare, shkëmbenin adresa që shërbenin për lotari të palejuara.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.