Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M., si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.
Pas njoftimit të marë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj, ishte vetëvrarë një shtetase, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrja e trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të administruara, shtetasi P. M. ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori ka kryer vrasjen.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.