Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e vendimit penal për ndalimin e shtetasit në kërkim ndërkombëtar Sh. G., 41 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 17.03.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
41-vjeçari, rezultonte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Finish”, të finalizuar më datë 08.04.2021, si rezultat i të cilit u godit një grup i strukturuar kriminal dhe u sekuestrua 32,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Sh. G., është kapur në Belgjikë dhe më pas u krye ekstradimi i tij, në drejtim të vendit tonë.
————-
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, të shtetasit K. A., 31 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tij u bë pasi, dyshohet se ky shtetas nëpërmjet mashtrimit dhe duke u prezantuar si punonjës i SHÇBA Korçë, i ka marrë disa herë, në shuma të ndryshme, shtetasit A. D., me profesion fotograf, shumën prej 152.000 lekë, duke i premtuar se do ta favorizonte këtë të fundit, për të fituar një tender për shërbimet fotografike, që kryen struktura e lartpërmendur.
————-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim, të shtetasve A. Xh., 23 vjeç dhe L. I., 22 vjeç, banues në Pogradec.
Arrestimi i tyre u bë pasi, mbrëmjen e datës 01.02.2022, këta shtetas në gjendje të dehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjet nr. 1, 2, 3 dhe 4, në Pogradec, kanë dëmtuar me shkelma, pasqyrat e 42 automjeteve të parkuara në rrugë, si edhe xhamat e vetratave dhe një pajisjeje, në katër subjekte private.
————-
Gjithashtu po nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Punësimi i paligjshëm”, për shtetasin F. Sh., 51 vjeç, banues në Bilisht, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Bilishtit, në subjektin rrobaqepësi që ky shtetas administron, rezultoi se dy punonjëse nuk ishin të përfshira në skemën e detyrueshme të sigurimeve, duke shmangur detyrimet tatimore të subjektit.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.