Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Fier – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjetën doza me lëndë narkotike kokainë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike të forta në doza, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin V. P. (J)., iu gjet sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në 35 doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 celular. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit V. P. (J)., 36 vjeç, banues në Kuman, Roskovec. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë – Vihen në pranga 6 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim, dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve: E. N., 25 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, pasi ka tentuar të vjedhë një aparat celular në një qendër tregtare; A. D., 26 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit në kërkim L. Sh., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një aparat celular në dyqanin e shtetasit L. B. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. M., 36 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Ll., 49 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” dhe proceduan penalisht shtetasin A. D., 33 vjeç, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, pasi shtetasi L. Ll. ka vjedhur një biçikletë, të cilën më pas e ka blerë shtetasi A. D., dhe nuk e ka deklaruar. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 47 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 proceduan penalisht shtetasin I. D., 54 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi ka goditur me grushte shtetasin Xh. K. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin. Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses. Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë/ndaluar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 18 raste: 6 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 12 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është arrestuar 1 shtetas, në Fier, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, në Shkodër, për këtë vepër penale.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtteas, për veprën penale “Shkatërrim prone”.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas për “Pushtim toke” dhe 1 tjetër për falsifikimi dokumentesh.
Në Fiër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Fsheja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për kontrabandë dhe fshehje të ardhurash.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 1 viktimë dhe 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.