Kontrolle intensive në pikat e kontrollit të kalimit kufitar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Procedohen penalisht 3 shtetas, 1 prej tyre doganier në PKK Hani i Hotit.
Sekuestrohen mallra kontrabandë dhe një armë gjahu.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në PKK Hani i Hotit, filloi procedimi penal për shtetasit:
R. Sh., 59 vjeç, I. Rr., 48 vjeç dhe D. M., 28 vjeç (me detyrë doganier), banues në Shkodër.
Shtetasi R. Sh. është konstatuar në PKK Hani i Hotit, me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa i deklaruar në organet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi u gjet një armë gjahu pa leje.
Më pas është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve me administrator shtetasin I. Rr., të cilin dyshohet se shtetasi R. Sh. e furnizonte me produkte kontrabandë, ku janë gjetur disa mallra dhe produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penaëe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi D. M., me detyrë doganier, pasi dyshohet se ka favorizuar shtetasin R. Sh., në kohë të ndryshme, për kryerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
U sekustruan në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu dhe disa mallra kontrabandë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë“, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Shpërdorim detyre”.