Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka marrë pjesë në analizën vjetore të punës së strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Në përfundim të analizës, Nano ka dhënë një prononcim për mediat, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve në lidhje me realizimin e detyrave nga strukturat policore në qarkun e Korçës, në lidhje me situatën e rendit dhe sigurisë, me parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm që hyjnë nga shteti grek.
Gjithashtu, Drejtori është pyetur edhe mbi veprimet e Policisë gjatë ditës së sotme, në lagjen “5 Maji”, Tiranë.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka theksuar se strukturat e Policisë që operojnë në qarkun e Korçës janë duke i përmbushur detyrat, rezultatet janë të kënaqshme.
Meqenëse Korça është qark kufitar, strukturat e Policisë janë fokusuar në parandalimin e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta. Në këtë kuadër vijon operacioni “Perimetri”, ku deri tani janë evidentuar e goditur 73 raste dhe janë arrestuar dhjetëra persona.
Gjithashtu, Nano ka theksuar se për rastet e trafikimit të drogave të forta, në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë duke u kryer hetime dhe së shpejti priten rezultate të kënaqshme.
Përsa i përket veprimeve policore të kryera sot në Tiranë, Nano ka theksuar se Policia ka zbatuar ligjin dhe në rast se ka patur tejkalim të kompetencave, do të bëhen verifikimet përkatëse.