DVP Korçë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit K. B., 35 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq.

Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin e datës 21.10.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.06.2021, ku pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, u kap bashkëpunëtorja e dyshuar e 35-vjeçarit, shtetasja Xh. H., duke transportuar kundrejt shpërblimit me mjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, 2 emigrantë të paligjshëm.
———-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja” të shtetasve A. H., 35 vjeç dhe N. P., 36 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tyre u bë pasi, shtetasi A. H., i ka vjedhur shtetasit I. S., një njësi kompjuteri dhe materiale ndërtimi. Ndërsa shtetasi N. P., i ka vjedhur një biçikletë, shtetasit F. M., në lagjen nr. 6, Korçë.
———-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Prerja e paligjshme e pyjeve”, për shtetasin E. Ç., 46 vjeç, banues në fshatin Gurras, Pogradec, pasi në afërsi të fshatit Tushemisht, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin tip zetor “Fiat”, një sasi dru zjarri pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.