Si rezultat i kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në telegramin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për intensifikimin e kontrolleve me qëllim parandalimin e tregtimit në mënyrë të kundërligjshme të lëndëve piroteknike, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy raste të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, konkretisht:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në fshatin Luz i Vogël, kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Sh. Gjatë kontrollit në mjet janë gjetur 2 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 19 vjeç, banues në Kavajë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit të territorit, në rrugën “Hamdi Pepa”, në magazinën në pronësi të shtetases M. Gj., 57 vjeçe, kanë gjetur 3 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u procedua penalisht shtetasja M. Gj., 57 vjeçe, banuese në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve tregtare, që të mos tregtojnë lëndë piroteknike, pasi do të përballen me ligjin, dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të mënjëhereshëm e të paanshëm.