Gjirokastër – Goditet një rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Procedohet penalisht doganieri i Degës Doganore Kakavije, për shpërdorim detyre.

Sekuestrohen produkte të ndryshme ushqimore dhe steka me cigare.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kontrabandës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij tip “BMW”, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, u gjetën produkte mishi, steka cigaresh dhe produkte të tjera ushqimore, të cilat ky shtetas i ka futur në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar në Degën Doganore Kakavije.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në magazinën në pronësi të këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan mallra të tjera të dyshuara kontrabandë.

Në përfundim të veprimeve hetimore u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi A. O., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë doganier në Degën Doganore Kakavije.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat dhe automjeti.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.