Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin V. M., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër.
Arrestimi i tij u bë pasi, në qytet Lezhë, në afërsi të një lokali, forca e posaçme “Shqiponja”, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
—
Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bënë ndalimin e shtetasit M. M., 30 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Lezhë, i shpallur në kërkim policor në nëntor 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
—
-Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. Gj., 18 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë.
Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, nuk i është bindur urdhrit të forcave “Shqiponja”, për të ndaluar, dhe gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një mjet të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimet e kryera nga shërbimet e Policisë, rezultoi se 18-vjeçari drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.