Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të banesave dhe automjeteve, si dhe për arrestimin e autorëve.
Në kuadër të operacionit vihen në pranga 3 shtetas, për vjedhje të banesave dhe të automjeteve.
Po gjatë operacionit vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, për veprat penale “Kallëzim i rremë” dhe “Moskallëzim krimi”. Të dy këta persona të dënuar për vrasje dhe vjedhje në Shqipëri, Itali e Zvicër.
Në vijm të punës së pandërprerë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe të automjeteve, bazuar në informacionet e marra përgjatë punës hetimore dhe në rrugë operative, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Alliasi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
– K. Q., 23 vjeç, i dënuar më parë, dhe G. B., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në banesën e një shtetasi në rrugën “Selaudin Bekteshi”. Gjithashtu dyshohet se kanë vjedhur edhe banesën e një shtetaseje në Lanabregas.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të banesave në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 4. Vijon puna hetimore për dokumentimin e tyre me prova ligjore.
Shtetasit e mësipërm studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës, duke ndërprerë ndriçimin elektrik të rrugës dhe të kamerave në hyrje të banesave.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga sendet, të cilat kanë rezultuar të vjedhura në banesat e lartëpërmendura.
Punohet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetaseve.
Po në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit V. K., 33 vjeç, banues në rrugën “Barjam Curri”, i dënuar më parë.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në rrugën “Kosovarët”. 33-vjeçari ishte në ndjekje nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pasi kishte vjedhur një automjet “BMW”, në pronësi të një shtetasi me banim në rrugën “Myslym Keta”.
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Moskallëzim krimi” i shtetasve:
* A. K., 47 vjeç, banues në Tiranë dhe F. L., 48 vjeç, banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vrasje dhe vjedhje.
Shtetasi A. K. kishte bërë kallëzim të rremë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, se i kishin vjedhur automjetin, i cili u gjet i braktisur në anë të rrugës në Peqin të Elbasanit.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas kishin shkuar për të vjedhur në një banesë në Peqin dhe kur kanë parë shërbimet e Policisë në pikë kontrolli, ndërkohë që ishin dhe në shkelje të orës policore, kanë braktisur mjetin me qëllim fshehjen e sendeve të kundërligjshme që kishin në automjet, të cilat do t’i përdornin për të kyer vjedhjen.
Shtetasi A. K., në vitin 1997, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, një shtetas, në zonën e Laçit dhe për këtë ka kryer 18 vite burgim. Shtetasi F. L. ka kryer 16 vite burgim në Itali, për vrasje.
Këta shtetas, pasi kanë vuajtur dënimin me dy vite burg në Zvicër, për vjedhje, nga viti 2018 deri në vitin 2020, janë dëbuar nga Zvicra dhe janë kthyer në Shqipëri.
Nga hetimet rezulton se këta dy shtetas, së bashku me një shtetas tjetër që aktualisht ndodhet në Angli, ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e vjedhjes në ltali e Zvicër, në formën e një grupi kriminal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre personave.