Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Fier – Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit: A. Xh., 49 vjeç, banues në Tepelenë, pasi në Levan, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Citroen” ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka marë dëmtime të lehta; K. D., 21 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në fshatin Barbullinjë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” ka përplasur shtetasin H. Gj., 78 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës” shtetasit: G. M., 60 vjeç; N. L., 58 vjeç; B. H., 54 vjeç; J. H., 54 vjeç; K. J., 46 vjeç; R. H., 53 vjeç; L. H., 54 vjeç; A. I., 48 vjeç dhe A. N., 56 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në hyrjen kryesore të KPTHN-Ballsh, janë grumbulluar përpara uzinës bashkë me disa ish-punonjës të tjetë të kësaj uzine, dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të saj, duke dëmtuar derën kryesore. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Berat – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vëllezërit”. Zbardhen 38 vjedhje të ndodhura më parë në qytetin e Beratit. Arrestohen 2 autorët e dyshuar, pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në një banesë. Sekuestrohen disa nga mjetet që përdoreshin për të kryer vjedhjet. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllezërit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. H., 49 vjeç dhe F.H., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vidhnin në banesën e shtetases A. A. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet që këta shtetas të jenë autorë të 38 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 2018-2021, në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që përdornin autorët për të kryer vjedhjet. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, në fushën e vjedhjes së pronës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. M., 25 vjeç, banues në lagjen “Isa Bolentini”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde bimore e dyshuar cannabis sativa. Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë u procedua penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, shtetasi I. G., 35 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin K. J., 32 vjeç, banues në Tiranë, përgjegjës në një firmë ndërtimi, pasi në vendin e quajtur “Katër Topat”, Vlorë, është dëmtuar gjatë kohës që ka qenë duke punuar, shtetasi S. B., 48 vjeç (punëtor), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Pogradec – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë, të shtetasit A. S., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, ky shtetas në një hyrje pallati, ka vjedhur biçikletën e shtetasit H. L. Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se 33-vjeçari, është autor i dyshuar edhe i vjedhjes së ndodhur më datë 30.10.2021, në lagjen nr. 2, Pogradec, ku në banesën e shtetasit M. I., ka marrë 37000 lekë, sasi e cila së bashku me biçikletën u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë shpalljen në kërkim dhe po punojnë për gjetjen e shtetasit A. M., 54 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq, pasi ka bërë kallëzim vëllai i tij shtetasi J. M., i cili ka deklaruar se nuk ka dijeni mbi vendndodhjen e 54-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 60 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 21 janë arrestuar në flagrancë dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të arrestuar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë dhe në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 2 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Durrës janë proceduar penalisht 3 shtetas, 2 për “Ndotja e ajrit” dhe 1 për “Pushtim toke”.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.