“Zbato rregullat e qarkullimit, për një destinacion të sigurt”, kjo ishte motoja e aktivitetit sportiv automobilistik “Gara e Flamurit”, me nisje nga Prizreni dhe mbërritje në Vlorë.
Aktivitetin e përshëndetën nga afër Drejtori i Policisë Rrugore z. Altin Qato dhe përfaqësuesi zyrtar nga Projekti Suedez për Policimin në Komunitet, z. Hansi Shundi, të cilët dhanë mesazhe ndërgjegjësimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Në fokus të aktivitetit ishin zbatimi i sinjalistikës rrugore dhe vendosja e rripit të sigurimit, kombinimi mes autosportit, njohurive turistike dhe përmirësimi i aftësive drejtuese, eleminimi i veseve të këqija gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përfitimi i njohurive në fushën e sigurisë rrugore.
Klubi i Auto Moto Touring Klubi Kombëtar Kosovë, që organizoi këtë aktivitet sportiv, kishte si qëllim garën sportive mes drejtuesve të automjeteve bazuar në saktësinë e të drejtuarit të automjeteve në kushtet e trafikut normal sipas normave të sjelljes, duke respektuar të gjithë rregullat e qarkullimit rrugor. Aktiviteti u mbyll me testimin e garuesve, përsa i përket shkathtësisë dhe saktësisë në poligonin përkatës pranë Lungomares në Vlorë.
Kompania GBi-Health & Safety Academy ishte një nga mbështetëset kryesore të këtij aktiviteti, me pajisjet simulatore dhe trajnerët e saj, të cilët organizuan një seancë trajnimi mbi drejtimin e sigurt të mjetit.