Bulqizë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas

Goditet një rast i shërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla në afërsi të shkollave.

Sekuestrohen 200 doza cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Dibër , në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe mbi bazën e kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas dyshohej se posedonte në banesë lëndë narkotike dhe e përgatiste në doza të vogla duke e shpërndarë në afërsi të shkollave në qytetin e Bulqizës, kanë organizuar punën duke ushtruar kontroll në banesën e tij.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i kanë gjetur në banesë lëndë narkotike canabis sativa e ndarë në 200 doza të vogla gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. R.,29 vjeç, banues në Bulqizë.
__

Ushtroi dhunë fizike dhe kërcënoi për jetën bashkëshorten e tij, vihet në pranga 45-vjeçari.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.K., 45 vjeç, banues në Shupenzë, pasi në banesë në prezencë dhe të fëmijëve të tij të mitur ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka kërcënuar për jetën.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.