Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga ZQK Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritet e Mbretërisë së Bashkuar, u krye ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Defrim Iseberi, 47 vjeç. Ky shtetas, është arrestuar nga autoritet policore në Mbretërinë e Bashkuar në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Ky shtetas më datë 16.10.1997, në Kukës, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin D. M., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
—
Ndërkohë po nga Interpol Tirana është ekstraduar drejt SHBA-së shtetasja Amerikane / Kanadeze , Lyda Yolanda Harris.
Interpol Tirana në bashkëpunim me zyrën e ARSO-I pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë kryen ekstradimin e shtetases Lyda Yolanda Harris drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ju dorëzua Marshall-ëve Amerikanë . Arrestimi i saj u krye në vendin tonë në muajin gusht 2021, nga njësia policore speciale “Joint Shield”, në bashkëpunim me Interpol Tiranën , me qëllim ekstradimi për në SHBA.
Ky subjekt ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar të datës 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar nga titulli 18 i Kodit Penal të SH.B.A-ve, seksioni 1962 (d).
Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u bë ekstradimi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.