DVP Korçë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 03.09.2021, ku në rrugën Trebinjë-Vërdovë, shërbimet e policisë kapën shtetasin S. M., 40 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, duke transportuar me një mjet tip kamion (në pronësi të vëllait të tij N. M) 8 m³ dru të llojit ah, sasi për të cilën drejtuesi i mjetit (i pa siguruar në organet përkatëse) ka paraqitur një faturë të dyshuar si të falsifikuar, bënë ndalimin e shtetasit N. M., 40 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 18.10.2021, ka urdhëruar ndalimin e tij për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
———–
Në vijim të informacionit paraprak datë 09.11.2021, i cili bën fjalë për një aksident rrugor, ju informojmë se specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” të shtetasit G. Zh., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi në rrugën e fshatit Pocestë, Maliq, ky shtetas duke drejtuar mjetin​ tip “Volkswagen”, ka përplasur dy shtetase të mitura (motra), një 16-vjeçare e cila u dërgua per mjekim më të specializuar në Tiranë dhe një 10-vjeçare, banuese në Korçë, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit A. H., 55 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, pasi në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë kryqëzimit të fshatit Leminot, ky shtetas u kap duke drejtuar pa lejë drejtimi dhe në gjendje të dehur, një motomjet të modifikuar dhe pa targa.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasit R. M., 35 vjeç dhe F. D., 19 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 14, Korçë, gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. M., ka kanosur me një sopatë shtetasin F. D., ndërsa ky i fundit e ka goditur me sende të forta 35-vjeçarin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin A. I., 51 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, pasi në këtë fshat, ky shtetas u konstatua duke kryer punime pa leje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë për veprime të mëtejshme.