Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Tiranë – Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”. Goditen 3 raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Vihen në pranga 5 shtetas, procedohen 3 shtetas, shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme), 10 njësi kompjuterike, 8 monitorë, 16 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, shërbimet e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim dhe të operacionit “Fati i lojërave”, shërbimet e Policisë kanë goditur 3 raste të tjera, në vende dhe kohë të ndryshme, konkretisht: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. A., 19 vjeç dhe A. H., 18 vjeç (punonjës të lokalit), proceduan në gjendje të lirë 2 klientë të kapur në flagrancë, si dhe shpallën në kërkim pronarin e lokalit, pasi në Kombinat, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 120.000 lekë të rinj, 5 njësi kompjuterike, 4 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive. Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin e shtetasve L. Xh., 27 vjeç dhe K. B., 28 vjeç (kamarierë në një lokal) dhe shpallën në kërkim pronarin dhe administratorin e lokalit, pasi në rrugën “Petro Nini Luarasi” u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 aparate celular, 900.000 lekë të rinj dhe 2975 euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme); Gjithashtu, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin A. G., 37 vjeç dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin Sh. H., 39 vjeç, pasi në rrugën “Pasho Hysa”, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 8 monitorë dhe 7 aparate celular, që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 269 shtetas, konkretisht: 14 janë ndaluar, 91 janë arrestuar në flagrancë dhe 164 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste, me 16 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”; 10 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Vrasja”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 33 raste: 8 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 25 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”dhe 12 të tjerë, për “Fshehja e të ardhurave”.
Janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Janë proceduar penalisht 9 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Jnaë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, ku autorët po procedohen ën gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone dhe 7 të tjerë, për “Prishja e qetësisë publike”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 18 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 14 aksidente, me 2 viktima dhe 15 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.