Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor i koduar “Seman”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale e DVP Fier.
Sekuestrohen 4 kg lëndë narkotike cannabis sativa, vihen në pranga 4 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale e DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Seman”.
Gjatë operacionit, në Bypass-in e Fierit, u kapën në kushtet e flagrancës, me automjetet tip “Audi” dhe “Citroen”, 4 shtetas të cilët posedonin lëndë narkotike cannabis sativa që e kishin bërë gati për shitje.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, shtetasit:
G. Z., 34 vjeç, banues në Tiranë;
A. M. (B)., 29 vjeç, banues në Ballsh;
J. K., 25 vjeç, banues në Topojë, Fier;
A. D., 23 vjeç, banues në Topojë, Fier.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 automjetet dhe 5 aparate celularë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.