Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e krimit ekonomik e financiar. Finalizohet operacioni “Investimi”. Sekuestrohen 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme. Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme dhe të shumave financiare, që dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi”, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish – punonjës i administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane. Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme. Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.
Himarë – Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Vihen në pranga nga policia 3 shtetas. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se 3 persona po udhëtonin me një automjet, në të cilin dyshohej se kishte lëndë narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, FNSH-së së Fierit janë vënë në ndjekje të automjetit. Gjatë ndjekjes është bërë i mundur bllokimi i mjetit në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, Himarë dhe pas kontrollit të ushtruar, poshtë sediljes së shoferit janë gjetur 39 qese të vogla farmaceutike, të mbushura me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë, drejtuesin e mjetit, shtetasin V. P., 23 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, janë arrestuar edhe dy shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjet, O. R., 34 vjeç dhe A. M., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Durrës/Informacion Paraprak – Më datë 01.08.2019, rreth orës 12:55, në lagjen Nr.18, Durrës, persona të paidentifikuar kanë plagosur me armë zjarri shtetasin F.B.,40 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës, i cili u transportua në Spital dhe ka ndërruar jetë. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti familjar për motive pronësie. Shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në Sauk po ndodhte një konflikt familjar. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë reaguar, duke arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin A. B., 43 vjeç, pasi është konfliktuar fizikisht për motive pronësie me vëllain e tij 46 -vjeçar, i cili është dëmtuar dhe është dërguar në spital. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprimet të metejshme.
Tiranë – Kundërshtuan me dhunë shërbimet e Policisë Bashkiake, vihet në pranga një shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, të shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dhe disa persona të tjerë, më datë 31.07.2019, gjatë vënies së disa kangjellave në trotuarin e rrugës “Dritan Hoxha”, kanë goditur me grushta njërin nga punonjësit e policisë bashkiake dhe i kanë penguar ata për kryerjen e detyrës. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. H., 35 vjeç, banuese në Tiranë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim një publik”. Vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana – Ekstradohet drejt Kinës shtetasi në kërkim ndërkombëtar G. L. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol BEIJING / Kinë, pasi është i dënuar me 10 vjet burg, për veprën penale “Gjobëvënie”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë në qershor 2019, në Pikën e Kalimit Kufitar, në Aeroportin e Rinasit, nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interpol Pekin/Kinë. Rrethanat e ngjarjes: shtetasi kinez, G. L., ishte një nga anëtarët kryesorë të një bande kriminale, e cila ushtronte aktivitetin e saj në qytetet Aotou, Maonan, Maoming dhe në provincën Guangdong, duke ushtruar dhunë, duke vënë gjoba dhe duke hapur kazino e lojëra fati, nga të cilat përfitonin para në mënyrë të paligjshme. Në vitin 2013, ky person në bashkëpunim me disa anëtarë të tjerë të bandës, mori peng dhe mbajti në mënyrë të paligjshme një shtetase, duke e detyruar atë të shlyente një shumë prej 3.8 milion CNY (monedhë kineze). Në vitin 2014, po në bashkëpunim me disa anëtarë të tjerë të bandës shkoi në një kompani dhe e detyroi drejtuesin e saj të shlyente një kredi, duke shitur 23 suita, 40 hapësira parkimi dhe 6 autovetura me çmim të ulët. Shtetasi kinez, G.L., iu dorëzua oficerëve kinezë, në Pikën e Kalimit Kufitar në Aeropotin e Rinasit.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 100 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë kapur 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, 2 në Tiranë, 2 në Lezhë, 1 në Shkodër.
Është ekstraduar drejt Kinës 1 shtetas në kërkim ndëkombëtar.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 2 në Vlorë, 1 në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 2 në Elbasan, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 12 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 3 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në Vlorë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 3 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 2 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 4 në Lezhë, 1 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.