Himarë – Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla

Vihen në pranga nga policia 3 shtetas.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se 3 persona po udhëtonin me një automjet, në të cilin dyshohej se kishte lëndë narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, FNSH-së së Fierit janë vënë në ndjekje të automjetit.

Gjatë ndjekjes është bërë i mundur bllokimi i mjetit në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, Himarë dhe kontrollit të ushtruar, poshtë sediljes së shoferit janë gjetur 39 qese të vogla farmaceutike, të mbushura me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë, drejtuesin e mjetit, shtetasin V. P., 23 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu, janë arrestuar edhe dy shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjet, O. R., 34 vjeç dhe A. M., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.