Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga një shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policise, sqarojmë opinionin publik se:
Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve. Me marrjen e njoftimit menjëherë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë kontakt me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qera i kishin marrë 3 aparatë celularë.
Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar proceduren që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët.
Gjatë komunimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar.
Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient sa më të sigurt për të gjithë pushuesit, vizitorët e turistët.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin pa pagesë 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.