Ceremonia e largimit të z. Weiss, Oficer Ndërlidhës i Gjermanisë në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, z. Christian Weiss.

I pranishëm në ceremoni zv/Presidenti i Policisë Federale Gjermane z. Jurgen Schubert, i cili fillimisht zhvilloi një takim miqësor me Drejtor Veliun, me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane.

Më pas në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit në Shqipëri të Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën z. Christian Weiss, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu e ka vlerësuar maksimalisht atë për gjithë kontributin e tij në mbështetje të Policisë Kufitare, si dhe në forcimin e marrëdhënieve mes Policisë Shqiptare dhe asaj Federale Gjermane.

Veliu:

Së pari më lejoni t’i shpreh mirëseardhjen delegacionit të Policisë federale gjermane që kryesohet nga zv/Presidenti, z. Schubert. Vizita të tilla nga partnerë strategjikë e dashamirës të Policisë së Shtetit, janë një tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur.

Për Policinë e Shtetit bashkëpunimi me partnerët është prioritet kryesor dhe kjo është e vërtetuar më së miri, sidomos vitet e fundit në zhvillimin e dhjetëra operacioneve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit, ku Policia e Shtetit është vlerësuar me çmime të para për besueshmëri e profesionalizëm.

Policia e Shtetit vitet e fundit, falë filozofisë, vizionit dhe prioriteteve që ka vendosur në punën e saj, ka fituar një mbështetje të madhe nga partnerët strategjikë edhe në fushën e trajnimeve, logjistikës, teknologjisë dhe informacionit, kjo edhe në sajë të bashkëpunimit korrekt me oficerët ndërlidhës të vendeve partnere. Një nga shembujt konkretë është dhe oficeri ndërlidhës i Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, z .Christian Weiss.

Sot është një ditë e veçantë, pasi kolegut tonë i mbaron mandati dhe do të largohet nga Shqipëria. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri, z. Weiss ka ndihmuar Policinë e Shtetit me korrektësi, profesionalizëm, dashamirësi dhe vendosmëri. Ai që prej vitit 2013 ka shërbyer si Oficer Ndërlidhës i Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, fillimisht si oficer rezident në Kosovë dhe më pas në dhjetor të vitit 2015, është transferuar në Tiranë, duke ofruar një asistencë dhe bashkëpunim të çmuar në strukturat e Policisë së Shtetit dhe duke i dhënë një hov të ri marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare dhe Policisë Federale Gjermane. Gjatë viteve të shërbimit të tij në Shqipëri, z. Weiss ka asistuar në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të këtyre strukturave dhe të shkëmbimit në kohë reale të informacionit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar.

Unë jam i bindur se edhe kolegia që po merr detyrën znj. Andrea Geschke, do të tregojë të njëjtin përkushtim e seriozitet për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy Policive. Më lejoni t’i uroj mirëseardhjen dhe punë të mbarë.

Duke përfunduar, i uroj mikut dhe kolegut tonë z. Christian Weiss shëndet e pension të mbarë, pasi me përfundimin e misionit në Shqipëri i përfundon dhe koha e shërbimit në Policinë Federale Gjermane.

Me këtë rast, për asistencën dhe bashkëpunimin e ofruar në Policinë e Shtetit, në përfundim të misionit të tij në Shqipëri, i akordoj “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, me motivacionin:

“Për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe për asistencën e vyer në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të strukturave të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, duke ndihmuar në rritjen e performancës së këtyre strukturave, në luftën kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike.”

Urime e suksese të mëtejshme!

Jurgen Schubert:

Besoj se marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të mira dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen. Them që Shqipëria është një vend i sigurt, dhe shqiptarët kanë bërë një punë të madhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve. Dhurimi nga Policia gjermane i makinave apo i radiove të policisë dhe pajisjeve të tjera është vetëm një pjesë e kontributit për ju. Për ne është shumë e rëndësishme që të shkëmbejmë informacionin dhe eksperiencën, të cilat do të implementohen në sistemin policor shqiptar. Për ne Shqipëria është e rëndësishme dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Në programin tonë të asistencës në të ardhmen ne kemi tema për Akademinë  e Sigurisë, për Policinë Kufitare dhe për departamentet e tjera me të cilat do të na pëlqente të punojmë ashtu siç kemi punuar me z. Weiss për 6 vjet e gjysmë.

Christian Weiss:

Jam shumë i emocionuar. Kam gjetur një miqësi të vërtetë sidomos këtu në Shqipëri. I jam shumë mirënjohës Policisë Federale që më dha këtë mundësi për të hyrë thellë në këto shtete dhe sidomos në Shqipëri. Z. Drejtor i Përgjithshëm, faleminderit për fjalët tuaja të ngrohta, Z. zv/President Schubert faleminderit për fjalët tuaja të ngrohta në adresën time. Ju uroj gjithë të mirat z. Drejtor i Përgjithshëm, zv/President Schubert, juve znj. Andrea dhe për ju kolegë e miq, gjithë të mirat në jetën tuaj private dhe atë profesionale këtu në Shqipëri.

Faleminderit shumë!

Andrea Geschke

Gëzohem që po ju njoh sot. Unë do të jem oficerja e re ndërlidhëse e Policisë Federale gjermane, për Shqipërinë dhe Kosovën. Unë punoj në Polici prej 30 vitesh dhe gëzohem shumë që do të punoj së bashku me Policinë shqiptare. Jam e sigurt që së bashku do të jemi të suksesshëm dhe gëzohem që do të njoh këtë vend të bukur.