Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bisturia”

Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bisturia”.
Vihen në pranga një mjek kirurg dhe një mjek anestezist, si dhe një shtetas që iu ka dhënë këtyre dy mjekëve, një shumë parash për të kryer operacionin e djalit.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale paratë që kanë marrë mjekët për kryerjen e operacionit.
Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”.
Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.
-Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër.
Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.
Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Shkodër.