Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Tiranë – Operacion i koduar “Lugina 2”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike nga Komisariati i Policisë Nr.6. Goditet një rast i tentativës për kultivimin e lëndëve narkotike në një zonë të pyllëzuar. Sekuestrohen 60 fidanë kanabis. Në pranga dy vëllezër dhe shpallet në kërkim vëllai tjetër. Procedohet në gjëndje të lirë dhe kryeplaku i fshatit. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke ushtruar kontroll periodik të territorit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për disa shtetas që përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur “Përroi i Bllomes” në pyllin e fshatit Mënik është organizuar dhe zhvilluar operacioni i koduar “Lugina 2”. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. G., 17 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq, T. G., 35 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq. U shpall në kërkim dhe po punohet intesivisht për kapjen e shtetasit E. G., 37 vjeç, banues në Mënik/Ndroq (të tre vëllezër). Gjithashtu u procedua në gjëndje të lirë kryeplaku i njësisë administrative Ndroq, shtetasi S. B., 61 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq. Gjatë operacionit në territor në vendin e quajtur “Përroi i Bllomes”, në pyllin e fshtatit Mënik në Njësinë Administrative Ndroq u evidentuan fidanë kanabis tē kultivuara në tokë. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, në ngarkim të shtetasve M. G., T. G., dhe E. G., dhe për veprën penale “Moskallzim krimi” në ngarkim të shtetasit” S. B.

 

Vorë/Tiranë – Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti për motive pronësie. Plagosi me mjet prerës 46-vjeçarin, arrestohet në flagrancë autori. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt pronësie mes dy shtetasve në fshatin Domje, ku njëri prej tyre kishte përdor mjet prerës sopatë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi I.T, gjatë një konflikti për motive pronësie me komshiun e tij shtetasin B.A, në kushte të rënduara psikike e ka goditur me sopatë. Shtetasi B.A, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë, arrestuan në flagrancë shtetasin: I. T., 62 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Plagosja e rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, falë reagimit të shpejtë dhe profesional vunë në praga dy autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë të 29 vjeçarit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 1, pas kallzimit të marrë nga shtetasi M.M, se dy persona i kishin hyrë në banesë dhe nëpërmjet dhunës i kishin marrë orën dhe celularin, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta dhe në bazë të infoiramcioneve të marra në rrugë operative brenda një kohe të shkurtër u bë e mundir identifikimi, kapja dhe arrstimi i autorëve të dyshuar, konkretisht: K.A., 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” dhe XH.F., 28 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale orën dhe aparatin celular që këta shtetas i kishin marrë me dhunë shtetasit M.M. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, në ngarkim të K. A dhe XH. F.

 

Fier – Finalizohet operacioni policor “Koshovica”, i ndjekur me metoda proaktive.

Në pranga dy shtetas për kanosje e shantazh me qëllim përftimi. Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit, zhvilluan operacionin policor “Koshovica”, duke e finalizuar me arrestimin në flagrancë të shtetasve G.M, 44 vjeç, banues në Cakran dhe J.Sh, 46 vjeç, banues në Cakran. Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një shtetase, duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj. Nga tërësia e veprimeve të kryera, shtetasit e sipërpërmendur kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim. Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

 

Shkodër – Finalizohet operacioni policor “Transaksioni”. Një tjetër i kërkuar bie në prangat e Policisë. Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim i dënuar me 10 vite burg. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Renda në DVP Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u zhvillua operacioni i koduar “Transaksioni”, duke u finalizuar me kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit të shpallur në kërkim , konkretisht Olsi Boriçi, 41 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në banesë në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër. Kapja dhe ndalimi tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2017, e ka dënuar me vendim të formës së prerë me 10 vite burg, për veprën penale “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” parashikuar nga neni 136/2 të Kodit Penal. Ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër duke qenë punonjës të një banke të nivelit të dytë kanë kryer disa transaksione në shuma të konsiderueshme parash pa miratimin e klientëve të kësaj banke dhe duke falsifikuar nënshkrimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 28.000.000 lekë (të reja), këto veprime janë kryer në data të ndryshme të muajit shtator të vitit 2009. Personi do i dorëzohet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.

 

 

 

 

Top of Form

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, nga këta: 25 janë të arrestuar, 69 ndiqen në gjendje të lire dhe 5 janë shpallur në kërkim.

Janë kapur 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 12  raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja” janë evidentuar në qarkun Tiranë, Vlorë dhe Lezhë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar në qarkun Tiranë dhe Korçë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje” është evidentuar në qarkun Tiranë; 2 raste të ” Plagosja e lehtë me dashje” janë evidentuar në qarkun Elbasan dhe Berat.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, konkretisht në qarkun Tiranë dhe Berat me 3 shtetas të arrestuar dhe 1 në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Dhuna në familje”, konkretisht në qarkun Tiranë, Vlorë dhe Lezhë, me 4 autorë të arrestuar, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme.

Janë evidentuar 14  raste të “Ndërtimi pa leje”, në qarkun Tiranë, Durrës, Berat, Elbasan, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, ku janë lënduar 5 shtetas të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 drejtues mjetesh në gjendje të dehur, konkretisht në qarkun Tiranë, Korçë dhe Shkodër, ku 3 prej tyre janë arrestuar dhe 1 është proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2  shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë  dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar 8 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme të pyjeve”, në qarkun Kukës dhe  Lezhë, ku autorët janë proceduar  në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, Elbasan dhe Korçë,  ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.