Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Berat – Organizonte lojëra fati nëpërmjet celularit, procedohet penalisht 1 shtetas. Procedohen penalisht dhe 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik u procedua penalisht shtetasi K. T., 32 vjeç, banues në Poliçan, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, të cilin e kishte të paregjistruar si subjekt tregtar, u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shtatë aparate celular dhe një laptop. Po nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik u procedua penalisht për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi L. K., 46 vjeç, banues në Dimal, pasi gjatë kontrollit u konstatua duke ushtruar aktivitetin në lokalin e tij, i papajisur me kasë fiskale. Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L. R., 49 vjeç., pasi me anë të mashtrimit ka përfituar një shumë eurosh nga një shtetas nga Mbretëria e Bashkuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Fier – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Vreshtas”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier. Sekuestrohen fara kanabisi, lëndë narkotike cannabis sativa, fidanë narkotikë dhe një armë gjahu karabinë. Vihet në pranga autori i kësaj veprimtarie kriminale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Vreshtas”.Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Xh., 42 vjeç, banues në Cakran. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 56.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2785 fara kanabisi, fidanë të dyshuar cannabis sativa të kultivuar në vazo lulesh, 1 armë gjahu karabinë, sende që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe 2 aparate celularë. Materialet procedurale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”. Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit e lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Porosia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Pezë, Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, në mjetin tip “Benz” me të cilin ky shtetas udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon operacioni për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.

Tepelenë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në  Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin Q. Ç., 49 vjeç, banues në Tepelenë. Arrestimi i tij u bë pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vëllait të tij, shtetasit H. Ç, 48 vjeç, banues në Vlorë, duke thyer urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata. Materialet i kaluan Prokurorisë së Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “PUNISHTJA” kundër informalitetit, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit të produkteve ushqimore. Bllokohen dy punishte që përdoreshin për prodhimi ushqimi, procedohen penalisht 2 pronarët. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, filloi procedimi penal për shtetasit : M. K., 55 vjeç, banues në Shupenzë dhe M. P., 65 vjeç, banues në Peshkopi. Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar Ushqimor, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në disa punishte që dyshoheshin se përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme për prodhimin e ushqimit për konsum. Si rezultat në  Shupenzë është bllokuar punishtja e shtetasit M. K., dhe në qytetin e Peshkopisë është bllokuar punishtja e shtetasit M. P.,  pasi janë konstatuar duke prodhuar produkte ushqimore në kushte të pa përshtatshme higjienike në kundërshtim me ligjin ‘Për Ushqimin’, dhe aktivitetin e ushtronin  pa qenë të regjistruar pranë organeve tatimore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”.

Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “Parku”. Shkon në 13 numri i të ndaluarve. Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.  Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për  veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç. Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Kontrollet po zhvillohen në territor, në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve në territor, në fshatin Salcë, në një zonë të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar kanabis dhe fara kanabis të kultivuara në kubikë. Në vijim të veprimeve hetimore u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi M. D., banues në fshatin Salcë, me detyrë kryeplak i fshatit Salcë dhe shtetasi A. Q., banues në fshatin Tetaj, me detyrë Inspektor për Pyjet dhe Mjedisin në Bashkinë Tropojë. Vijon puna për identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme. Në qarkun e Kukësit do të vijojnë intensivisht kontrollet në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, autoritetet vendore dhe Policinë Kufitare, të ngarkuara ligjërisht për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

DVP Vlorë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në  Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. GJ., 55 vjeç, banues në Orikum, pasi  ka ushtruar dhunë fizike  ndaj babait të tij. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit G. O., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër ka ndryshuar mënyrën e vuajtjes së dënimit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga shërbim prove në dënim me 3 vjet e 4 muaj burgim. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë, 6 shtetas dhe procedohen penalisht dhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 46 vjeç, pasi u konstatua duke ndërtuar pa lejen e organeve kompetente. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. T., 53 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 43 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”; P. P., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; E. D., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; A. B., 45 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse dhe në gjendje të dehur. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 filloi procedimi penal për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”  i shtetasve S. S., 19 vjeç, E. S., 17 vjeç, D. H., 16 vjeç, L. K., 16 vjeç, E. L., 16 vjeç dhe T. T., 16 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Vëllezërit Manastirli” kanë goditur shtetasin E. M., 21 vjeç.  •Shtetasi G. F., 52 vjeç, me detyrë roje private, kallëzon se persona të paidentifikuar i kanë vjedhur armën e shërbimit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna nga Policia e Durrësit, për parandalimin e vjedhjeve në biznese dhe prona.   Falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë vihen në pranga 2 shtetas, gjatë kryerjes së veprës penale “Vjedhja”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për marrjen e masave për parandalimin e vjedhjeve në prona dhe biznese gjatë sezonit turistik dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, falë reagimit të menjëhershëm arrestuan në flagrancë shtetasit: E. A., 36 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Mashtrimi”. Ky shtetas, në lagjen nr. 6, Durrës, i ka vjedhur çantën e dorës me një sasi vlere monetare, shtetases I. Sh.; A. A., 28 vjeç, shtetas maroken, pasi në lagjen nr. 17, Durrës, u konstatua nga shërbimet e Policisë duke tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit H. D. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, vihet në pranga poseduesi i tyre. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, Forca e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në përfundim të veprimeve është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. H., 26 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën e  lokalit ku ky shtetas ishte i punësuar si administrator dhe magazinier, kanë gjetur  dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Shkodër, ku po punohet për kapjen e autorëve.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 8 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagranca dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 2 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në korcë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 1 në Kukës, 1 në Dibër dhe 4 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të “Fshehja e të ardhurave, 1 në Berat, 1 në Kukës, 1 në Gjirokastër dhe 3 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar për veprën penale “vepra të turpshme”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 6 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 6 drejtues mjetesh dhe janë arrestuar në flagrancë 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.