Hapen aplikimet për pranim në funksionin e veçantë në Policisë e Shtetit, Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Aplikimet fillojnë më datë 18.06.2021 dhe përfundojnë më datë 22.06.2021.
Aplikimet bëhen në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kriteret e pranimit në funksionin e veçantë “Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore”, janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil.”
- Të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet profesionale;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
- Të mos ketë pengesa ligjore për tu pajisur me vërtetim besueshmërie;
- Të plotësojë kriteret e tjera të veçanta.
Kritere të veçanta:
- Kandidati që do të rekrutohet të ketë arsimin e lartë dhe diplomë “Master shkencor”, në shkencat Informatikë, Teknologji Informacioni dhe Elektronikë.
- Njohuri dhe aftësi të mira kompjuterike të demonstruara në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike;
- Aftësi për të identifikuar dhe vlerësuar nevojat për ndryshim dhe përmirësim të metodikave që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike;
- Aftësi për të prezantuar qartë e profesionalisht produktet dhe idetë e tij profesionale;
- Të jetë i specializuar në fushën e ekspertimit kompjuterik si dhe të jetë i liçensuar nga kompanitë prodhuese të programeve dhe pajisjeve ekzaminuese që përdor sektori për kryerjen e ekspertimeve kompjuterike.
- Të kenë njohuri të gjuhës angleze (kjo e vërtetuar me diplomë), si edhe aftësi për komunikim të rrjedhshëm në këtë gjuhë.
- Të ketë njohuri të përgjithshme rreth objektit të punës të IPSH dhe të shërbimit të Policisë Shkencore.
Aplikanti të paraqesë, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formularin e aplikimit tip (bashkëlidhur këtij urdhri);
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit, trajnimeve përkatëse;
- Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
- Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
- Certifikatë familjare;
- Vërtetim nga gjykata;
- Vërtetim nga prokuroria;
- Raport mjeko-ligjor;
- Fotokopje e librezës së punës;
- Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.
Punonjësi në funksionin e veçantë, “Shef Sektori, në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore”, kryen këto detyra specifike:
- Menaxhon aktivitetin e Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video për kryerjen e ekzaminimeve kompjuterike, në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe procedurat e miratuara;
- Organizon dhe ndjek kryerjen e ekspertimeve në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video;
- Kryen ekspertime kompjuterike dhe jep shpjegimeve në lidhje me aktet e kryera në gjykatë;
- Përgatit studime, analiza e përgjithësime për veçoritë e zbatimit të metodave shkencore e mjeteve teknike kriminalistike për ekzaminimet e kompjuterëve, telefonave celularë video regjistruese e provave të tjera digjitale, për zbulimin e ngjarjeve kriminale;
- Studion përvojën dhe arritjet shkencore në fushën e ekspertimeve kompjuterike, për aplikimin e metodave bashkëkohore në luftën kundër kriminalitetit;
Në përfundim të procesit të verifikimit paraprak, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, të hartojë listën emërore të aplikantëve që plotësojnë kriteret për pranimin në funksionin e veçantë të policisë, “Shef Sektori, në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Vidio, në Institutin e Policisë Shkencore”, si dhe të njoftojë aplikantët 7 ditë para datës së konkurrimit.
Procesi i konkurrimit përfshin:
- Jetëshkrimi i aplikantit,
Vlerësimi i arsimimit dhe trajnimeve të lidhura me veprimtarinë në fushën e aftësive në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike, si dhe referencat e punëdhënësve të mëparshëm (vlerësohet me 10 pikë);
- Testi me shkrim,
Kontrollin e njohurive të aplikantit në test me shkrim (vlerësohet me 60 pikë). Aplikanti që nuk arrin të marrë 40 pikë në testin me shkrim nuk i nënshtrohet vlerësimit në intervistën me gojë dhe ndërpret procesin e vlerësimit;
- Intervista me gojë,
Vlerësimi i njohurive dhe aftësive komunikuese, eksperiencë pune në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike, si dhe motivimin personal (vlerësohet me 30 pikë).
Në qoftë se asnjë kandidat nuk merr 60% të pikëve, Komisioni i Vlerësimit vendos përfundimin e konkurrimit pa asnjë fitues të përzgjedhur.
Formulari i aplikimit: https://we.tl/t-q0MwBBBA5L
Komisioni i Vlerësimit, në përfundim të procesit të vlerësimit, ka shpallur fitues për pranim në funskionin e veçantë Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit:
Zotin Erald Astrit Miho.