Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “PËRSËRITËSI”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në pranga 2 persona. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjete të tipeve të ndryshme dhe kontrata shitblerjeje. Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë e mundur finalizimi i operacionit të koduar “Përsëritësi”, ku u ndaluan shtetasit M. J., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë tre herë për armëmbatje pa leje dhe kontrabandë me mallra për të cilët paguhet akcizë dhe F. I., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasit M. J. dhe F. I. janë ndaluar pasi kanë bërë një kontratë fiktive (shtetasi M.J. i ka shitur shtetasit F.I. me kontratë fiktive 1 milion lekë të vjetra për një pronë, objekt shtypshkronjë me adresë në qytetin e Tiranës, biznes i cili ka një xhiro mujore rreth 100 milion lekë) duke fshehur të ardhurat, vepër penale kjo e cila është kryer me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi i një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se 8 milion lekë. Shtetasi i dyshuar M.J, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dy automjete, pronë e një banke të nivelit të dytë, për të cilat kolateralin dhe kredinë e paguanin shtetasit N.SH dhe O.SH. Gjithashtu shtetasi i dyshuar M. J. ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme xhiron mujore të një biznesi të shtetases O. Sh, në vlerën rreth 55 milion lekë të reja. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Vjedhje në shuma të mëdha”, “Vetëgjyqësi” në ngarkim të M. J dhe “Fshehje të ardhurave kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit F. I.

Durrës – Qarkullonte me armë zjarri në makinë, arrestohet në flagrancë  47- vjeçari polak me banim në Durrës. Sekuestrohet një armë zjarri Pistoletë me 7 fishekë luftarak. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të  Policisë Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit polak A.M., 47 vjeç, banues në lagjen Nr.18, Durrës. Ky shtetas qarkullonte me armë me vete, të cilën e mbante në makinë dhe është kapur në lagjen Nr. 18, Durrës nga shërbimet  e Policisë , ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, Policia ka gjetur një armë zjarri tip  Pistoletë “TT” dhe shtatë fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Vlorë – Goditet një tjetër tentativë  për kultivim të bimëve narkotike. Në pranga dy shtetas. Shërbimet e Policisë Selenicë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë goditur një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike, ku gjatë kontrollit në territorin e  fshatit Vërmik, Bashkia Selenicë, Policia gjeti dhe  asgjësoi fidanë dhe kubikë ku ishin kultivuar fara  të dyshuara të llojit cannabis sattiva. Në vijim të veprimeve, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit H.O, 55 vjeç dhe F.A., 43 vjeç, banues në Vlorë. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Durrës – Vijon puna për kapjen e persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i dënuar me 13 vjet e 4 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim ”.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar A.D., 48 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi A.D. ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Parto/Itali, më datë 27.06.2019, e ka dënuar me 13 vjet e 4 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim “. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.

Fier – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në formë dozash.Në pranga 30 – vjeçari. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 doza me lëndë narkotike të dyshuar Heroinë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S.S, 30 vjeç, banues në Patos. Pas informacioneve të mara në rrugë operative se ky shtetas shpërndante në qytetin e Fierit lëndë narkotike të llojit heroinë në formë dozash, u ushtrua kontroll personal dhe gjatë kontrollit ju gjetën me vete 9 doza me lëndë narkotike të dyshuar Heroinë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Shkodër – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet 21- vjeçari i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. H., 21 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër me vendim Nr.98 datë 08.05.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Dhuna në familje”. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim, më datë 11.04.2018 kanë tentuar të trafikojnë një sasi lënde narkotike prej 97 kg marijuanë nëpërmjet Liqenit të Shkodrës, e cila është kapur nga policia Malazeze në bregun e liqenit të Shkodrës në afërsi të PKK Hani i Hotit, në bashkëpunim me Policinë Vendore të Shkodrës dhe atë Kufitare. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 126 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar , 21 janë ndalur dhe 82 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 13 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 7 në qarkun Tiranë, 2 për veprën penale “Mashtrimi”, 1 për “Dhuna në familje”, 3 për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” në bashkëpunim, 1 për “Ndërtimi i paligjshëm”; 1 në qarkun Lezhë, i dënuar për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”; 1 në qarkun Shkodër, për veprat “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim  dhe “Dhuna në familje”; 2 në Korçë, 1 për veprën venale “Vetëgjyqësia”, 1 për “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim; 1 në Dibër, i dënuar për veprën penale ‘Dhuna në familje”; 1 në PKK Rinas, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike apo imulseve telefonike”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër, 1 në Shkodër, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Vlorë, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Gjirokastër, 1 në Korçë, 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Vlorë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në qarkun Elbasan, ku 1 autor është ndaluar dhe 1 autor është arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Lezhë, 1 në Kukës, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Dibër, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 2 në Lezhë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në qarkun Berat dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Kukës.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.