Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 prill 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 37 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrim prone”. Arrestimi i tij u bë pasi më datë 22.04.2021, rreth orës 21:30, në Hamallë, Sukth, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin S. C. (T)., 24 vjeç, ka qëlluar në ajër me armë zjarri duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë gjahu në pronësi të shtetasit N. B. (babai i të arrestuarit) dhe mjetin me të cilin është larguar autori. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim policor, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, e shtetasit B. M., 28 vjeç, banues në Hamallë, Sukth, Durrës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: N. Sh., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, e cila është e pajisur me urdhër-mbrojtje; I. K., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Gjithashtu, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit G. S., 37 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. G., 27 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje” e mbetur në tentativë “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike” pasi me datë 20.03.2021, në rrugën “Shaban Bardhoshi”  ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit A. K. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 27 vjeç, pasi ka tentuar të vjedhë sende me vlerë në banesën e shtetasit E. E.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. Sh., 29 vjeç, në Rrugën e Kavajës, nga kontrolli i ushtruar  nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, në mjetin tip “Benz” me të cilin ky shtetas qarkullonte  iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.•Më datë 22.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit F. B., 27 vjeç, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër (punohet për identifikimin e tij) në rrugën e Kosovarëve, kanë goditur me sende të forta shtetasin D. T., 26 vjeç. Më datë 23.04.2021, në fshatin Arbane, në ambientet e zyrës së një kompanie, është vjedhur një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në  bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë  dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. F., 35 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll. Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Gështenjas, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 200 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

Dibër – Specialistët për Hetimin e Krimit  në  Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale  “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve A. C.,  25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi  një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik. Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit  A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH. M., kandidat për deputet  i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër. Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH. M., ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezent ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin  e mbrojtjes së votës. Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryejnë veprime duke cenuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

Sarandë/Informacion paraprak – Më datë 23.04.2021, rreth orës 01:55, në lagjen nr. 3, Sarandë, ka rënë zjarr dhe është djegur mjeti tip “Benz” në pronësi të shtetasit F. L, banues në Sarandë. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 17 janë ndaluar, 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 2 raste të  “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është ndaluar. Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 12 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 13 raste, 3 në Tiranë, 5 në Durrës, 3 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Korçë është arrestuar 1 shtetas për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa 1 tjetër për “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje. Po në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtimin me vendimin e gjykatës”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fyerja”.

Është ndaluar 1 shtetase, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 1 person të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.